SAMITI I BRDO-BRIJUNIT: TË PËRSHPEJTOHET ZGJERIMI DHE BE-ja TË FORCOJË ROLIN

Në një samit rajonal të rëndësishëm, presidentët e Sllovenisë, Kroacisë dhe Shqipërisë theksuan nevojën e përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si një hap kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik në rajon dhe Evropë.

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, në një konferencë për media theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pasi paqja dhe siguria në Evropë do të jenë në rrezik nëse kjo nuk ndodh. Ajo nënvizoi se Sllovenia do të vazhdojë të promovojë këtë çështje dhe shprehu besimin se të gjitha 27 vendet anëtare do të mbështesin përshpejtimin e procesit të integrimit të rajonit. Sipas saj, BE-ja është një projekt paqeje dhe bashkëpunimi, dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor është kyç për stabilitetin në Evropë.

Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, theksoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Ai vuri në dukje se BE-ja duhet të forcojë rolin e saj në arenën ndërkombëtare, duke iu përshtatur ndryshimeve globale. Millanoviq gjithashtu shprehu dëshirën që samiti i ardhshëm rajonal të mbahet në Kroaci dhe garantoi se qeveria kroate do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për vendet e rajonit pa diskriminim.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në konferencën për media pas Samitit të Bërdo-Brionit, e cilësoi samitin si një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi sfidat gjeopolitike dhe nevojën për rritje të bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe ekonomisë. Begaj përmendi se Plani i Rritjes së BE-së për rajonin ofron mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe integrim. Ai gjithashtu theksoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke hapur 5 nga 6 grup-kapitujt negociues, dhe e cilësoi këtë si një mision kombëtar për vendin.

SHARE