PRESIDENTI MILLATOVIQ: ZGJERIMI I BE-së ËSHTË INVESTIM STRATEGJIK PËR PAQEN DHE STABILITETIN

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, mori pjesë në takimin e liderëve të Procesit Brdo-Brioni në Shqipëri, ku u diskutua për integrimin evropian, Planin e rritjes së BE-së, largimin e të rinjve nga rajoni, si dhe bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë.

Millatoviq theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si shtesë natyrale e integrimit evropian dhe apeloi për ndalimin e politikave që e bëjnë njëri-tjetrin “persona non grata” në rajon, duke theksuar se kjo pengon dialogun dhe bashkëpunimin.

Ai kujtoi se zgjerimi i BE-së nuk është dhuratë, por një investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit, duke përmendur përvojat e vendeve të Jugut dhe Evropës Qendrore që iu bashkuan BE-së pavarësisht sfidave.

Presidenti Millatoviq kërkoi nga BE-ja që ta trajtojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si një investim të rëndësishëm për sigurinë dhe zhvillimin demokratik të Evropës.

Ai vlerësoi Planin e Rritjes së BE-së si një mundësi të madhe për Malin e Zi dhe rajonin, duke sugjeruar përfshirjen më të madhe të ministrive të infrastrukturës dhe tregtisë në Procesin Brdo-Brioni dhe intensifikimin e projekteve rajonale, veçanërisht në rrugë dhe energji.

Gjithashtu, Millatoviq propozoi anëtarësimin e vendeve të rajonit në Qendrën Rajonale për Kapacitete Kibernetike në Podgoricë, krijimin e një Këshilli për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale dhe heqjen e roamingut mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për të lehtësuar komunikimin dhe bashkëpunimin ekonomik.

Procesi Brdo-Brioni, një iniciativë e përbashkët slloveno-kroate nga viti 2010, ka për qëllim forcimin e besimit dhe ndihmën për vendet e Ballkanit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Anëtarët përfshijnë Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën.

SHARE