Foto: Artikulacija Film
Organizatat joqeveritare dhe aktivistë qytetarë kërkojnë nga Prokuroria dhe Policia e Malit të Zi që të informojnë publikun për hetimet lidhur me ndërprerjen me forcë të shfaqjes së filmit “Lejlek” në Podgoricë, vetëm për shkak se ishte në gjuhën shqipe.
Ata theksuan se më shumë se një muaj pas incidentit të 3 shtatorit, policia nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar për masat e marra ndaj autorëve të ndërprerjes së shfaqjes, ashtu si edhe autoritetet lokale dhe Ministria e Turizmit, të cilat janë mbështetëse të festivalit ku u shfaq filmi.
Organizatat rikujtuan se gjuha shqipe është një nga gjuhët zyrtare të Malit të Zi dhe institucionet duhet të trajtojnë seriozisht rastin, sidomos në kontekstin e dialogut me Bashkimin Evropian për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Ata shprehën shqetësimin për mungesën e reagimit nga institucionet, që sipas tyre dërgon mesazhe të tolerimit të urrejtjes dhe mund të nxisë incidente të ngjashme, përfshirë edhe sulmin fizik ndaj një të mituri nga Bosnja dhe Hercegovina me motive nacionaliste.
Në fund, kërkohet nga autoritetet të reagojnë menjëherë dhe të informojnë publikun për veprimet e ndërmarra, si dhe nga kryetari i Podgoricës, Sasha Mujoviq, që të dënojë qartë incidentet nacionaliste në kryeqytetin e Malit të Zi, i cili aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian.