NJË GJYQTAR I GJYKATËS SË APELIT U VRA NË TIRANË GJATË SEANCËS DËGJIMORE

Një gjyqtar në Shqipëri është qëlluar për vdekje me armë zjarri gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Mediat në Shqipëri e kanë identifikuar gjyqtarin e vrarë si Astrit Kalaja.

Policia në Shqipëri tha se i dyshuari, E.Sh., 30 vjeç ishte palë në proces dhe dyshohet se shtiu drejt gjyqtarit.

Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur edhe R.K., 65 vjeç dhe E.K. 45 vjeç, babë e bir, të cilët ishin pala tjetër në proces. Sipas autoriteteve, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, u tha në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas, Top Channel gjyqtari i vrarë Kalaja në shtatë vjetët e fundit kishte ushtruar detyrën e anëtarit të Gjykatës së Apelit, ndërkaq në total kishte shërbyer për 18 vjet në sistemin e drejtësisë.

Në kuadër të procesit të vetting-ut të kryer në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ai ishte rikonfirmuar në detyrën e gjyqtarit në dhjetor të vitit 2019.

SHARE