VARHELI: JEMI GATI TË NDËRTOJMË NJË TERMINAL LNG NË MAL TË ZI

Bashkimi Evropian është gati të ndërtojë një terminal LNG në Mal të Zi në partneritet me Malin e Zi.

Këtë e ka bërë të ditur komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varheli, gjatë një takimi të ministrave të jashtëm në kuadër të Iniciativës së Procesit të Berlinit, njoftoi Qeveria e Malit të Zi.

Në të njëjtin takim ka marrë pjesë edhe kryeministri Dritan Abazoviq si koordinator i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Ndërtimi i një terminali të gazit në Tivar do të ishte i një rëndësie të madhe për Malin e Zi dhe rajonin, duke pasur parasysh krizën energjetike të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës. Me ndërtimin e tij, Mali i Zi do të shndërrohej në një qendër për vendet e tjera të rajonit kur të jetë fjala për gaz të lëngshëm”, tha Varheli.

Abazoviq tha se kjo është një çështje historike për Malin e Zi dhe një tregues që krahas bindjes së partnerëve tanë evropianë për rëndësinë e këtij projekti, ne po ecim në drejtim të diversifikimit të ekonomisë sonë dhe tema të tilla po marrin rëndësi.

“Qeveria më parë nënshkroi një memorandum me investitorët amerikanë në lidhje me terminalin LNG në Tivar. Mendoj se kjo është një punë vërtet e madhe për Malin e Zi,” përfundoi Abazoviq.

SHARE