OPEC “ÇMEND” TREGJET, UL PRODHIMIN ME 2 MLN FUÇI NË DITË, RRITET ÇMIMI I NAFTËS

Pavarësisht presionit të madh të SHBA-së, OPEC+ vendosi ta ulë prodhimin e naftës me 2 milionë fuçi në ditë, ulja më e madhe kjo që nga fillimi i pandemisë, e që tani kërcënon t`i japë një goditje të fortë cmimit të karburantit vetëm disa javë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA. Grupi i prodhuesve të mëdhenj të ariti të zi, që përfshin Arabinë Saudite dhe Rusinë, e bëri njoftimit pas takimit të parë fizik të zhvilluar që prej marsit 2020. Reduktimi i bërë prej tij është i barabartë me rreth 2% të kërkesës globale për naftë. Fill pas këtij lajmi, cmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me 1.5% duke shkuar në 93 dollarë fucia; edhe kuotimi i naftës amerikane pësoi rritje me 1.7%, duke u fiksuar tashmë në 88 dollarë për fuci. Presidenti Joe Biden nuk e fshehur shqetësimin nga pasojat që sjell një ulje e madhe të prodhimit të naftës nga OPEC +. “Duhet t`i shoh detajet me kujdes, e gjithë kjo është e panevojshme,” u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë. Tkurrja e prodhimit nis në nëntor. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e saj planifikon të takohen sërish në dhjetor për një vlerësim të situatës. Grupi sqaroi se vendimi për uljen e prodhimit u mor “në dritën e pasigurisë që rrethon perspektivat e ekonomisë globale dhe të tregut të naftës”. Çmimet globale të naftës, të cilat u rritën në gjysmën e parë të vitit, kishin pësuar së fundi një rënie pikiatë në mesin e frikës se një recesion global do të ulte kërkesën. Kështu, nafta Brent llogaritej të kishte pësuar një rrudhje me 20% që nga fundi i qershorit. Me lëvizjen e fundit, OPEC-u dhe aleatët e tij, të cilët kontrollojnë më shumë se 40% të prodhimit global të naftës, shpresojnë të parandalojnë rënien e kërkesës për prodhimin e tyre në mesin e parashikimeve për një ngadalësim i mprehtë ekonomik në Kinë, Shtetet e Bashkuara dhe Europë.

SHARE