VELIAJ I JEP “ÇELËSIN E QYTETIT” ZV.KRYEMINISTRIT TË MALIT TË ZI, DRITAN ABAZOVIQ

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Zëvendës Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të cilit i dhuroi edhe “Çelësin e Qytetit”, simbolikë e mikpritjes në kryeqytetin e shqiptarëve. Veliaj e cilësoi Abazoviq, një etalon të politikës së mirë. “Jemi shumë krenarë për ty dhe punën tënde. Përtej krenarisë që vjen prej trashëgimisë së përbashkët shqiptare, ke pasur urtësinë, inteligjencën, kurajën që të organizosh një strukturë multi-etnike me mendje të hapur, me ide të hapura, për të mbajtur një vend të vogël, që është një fqinj shumë i çmuar për ne. Njeriu nuk i zgjedh dot fqinjët, por nëse do zgjidhnim fqinj njerëz progresistë, me nevojën për të qenë të orientuar drejt perëndimit, nuk do ishte e mundur pa kontributin tënd, e sidomos vitet e fundit kur roli yt ka qenë vendimtar”, nënvizoi Veliaj. Zëvendës Kryeministri i Malit të Zi, Abazoviq falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen, teksa tha se Tirana është bërë për t’u marrë shembull për zhvillimin e jashtëzakonshëm që ka pësuar vitet e fundit.

SHARE