Raundi i parë i aplikimeve për universitet ka përfunduar me rezultate pozitive, duke shënuar një rritje të ndjeshme të interesit nga maturantët krahasuar me periudhën post-covid19.
Sipas Arjan Xhelajt, kreut të Agjencisë për Rekrutimin në Sistemin e Arsimit të Lartë në Shqipëri, numri i maturantëve që kanë aplikuar ka kapur shifrën rekord prej 20,200, duke kaluar për herë të parë pragun e 20 mijë aplikimeve në një raund të vetëm.
Kjo shënon një rritje prej rreth 500 maturantësh krahasuar me vitin e kaluar. Për më tepër, pritet që në raundin e dytë, që nis në vjeshtë, të shtohen edhe 3,000-4,000 aplikime nga maturantët e viteve të kaluara.
Në lidhje me programet më të preferuara nga 20,200 maturantët, interesi mbetet i qëndrueshëm në fusha si teknologjia, shëndeti dhe financat, ku vendet e lira në raundin e dytë pritet të jenë të pakta.
Programet me konkurse të forta si mjekësia, arkitektura dhe urbanistika mbeten shumë të kërkuara dhe kuotat shpejtë plotësohen gjatë fazave të para të regjistrimit.
Një trend i dukshëm është rritja e interesit për shkencat inxhinierike dhe informatike, ndërsa shkencat mjekësore – përfshirë mjekësinë e përgjithshme, infermierinë dhe stomatologjinë – vijojnë të jenë ndër më të preferuarat.
Ekonomiku dhe juridiku mbeten në nivele stabile, ndërsa sportet dhe artet, të cilat përzgjidhen në bazë të aftësive dhe jo mesatares, kanë shënuar rritje të interesit, sidomos sporti.
Programet për mësuesi vazhdojnë të jenë më pak të preferuara, megjithatë aplikimet në këto degë janë në rritje dhe nuk parashikohet mbyllje e ndonjë programi me prioritet kombëtar.
Sa i përket shkencave të natyrës, sociale dhe gjuhëve të huaja, ato ruajnë një interes të qëndrueshëm, me rreth 7.5% të aplikimeve.
Një rast i veçantë është kimi farmaceutike, ku janë regjistruar mbi 400 kërkesa. Një tjetër surprizë është rritja e aplikimeve për programet afatshkurtra dyvjeçare, të cilat nga rreth 4-5% që përfaqësonin katër vite më parë, tashmë përbëjnë mbi 10% të totalit të aplikimeve. Megjithatë, këto janë vetëm tendencat paraprake, ndërsa regjistrimet zyrtare që do të fillojnë në shtator do të tregojnë zgjedhjet përfundimtare të të rinjve për vitin akademik të ri.