Ambicia e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të pushtuar tërësisht Rripin e Gazës ka ngritur shqetësime të mëdha në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila paralajmëron se ky plan rrezikon jetën e civilëve palestinezë dhe pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi.
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenča, gjatë një fjalimi para Këshillit të Sigurimit, theksoi se Gaza duhet të mbetet pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez, sipas ligjit ndërkombëtar. Ai kërkoi armëpushim të menjëhershëm, lirimin pa kushte të pengjeve dhe lehtësim të kalimit të ndihmave humanitare pa pengesa.
Aktualisht, Forcat Izraelite kontrollojnë rreth 75% të territorit të Gazës, ndërsa plani i qeverisë izraelite synon pushtimin edhe të pjesës tjetër prej 25%, duke vendosur kontroll absolut mbi të gjithë enklavën. Megjithatë, raportimet nga mediat izraelite tregojnë se brenda kabinetit ka mosmarrëveshje, ku udhëheqja ushtarake dhe Ministria e Mbrojtjes janë kundër okupimit të plotë, për shkak të rrezikut për jetën e pengjeve.
Nga konflikti që vazhdon prej dy vitesh, rreth 90% e 2.1 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur disa herë dhe jetojnë në kushte ekstreme dhe të mbipopulluara.
Organizatat humanitare paralajmërojnë për krizë humanitare me mungesë ushqimi dhe ndihmash, duke akuzuar Izraelin për pengimin e shpërndarjes së tyre.