Foto: Boris Pejović
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka dhënë deklaratë në Prokurorinë Themelore Shtetërore në Podgoricë në lidhje me kallëzimin penal që ka paraqitur kundër zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Millatoviq deklaroi se ka marrë kërcënime gjatë kohës që po ushtronte detyrën e tij kushtetuese, duke kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend.
“Mendoj se ajo që është bërë ka krijuar një atmosferë shumë të rrezikshme dhe të papranueshme. Sot po vendosim nëse do të jetojmë në një Mal të Zi ku vendimet merren përmes kërcënimeve apo në një vend ku mbizotëron e drejta dhe drejtësia,” theksoi Millatoviq.
Ai shtoi se e ka kthyer Ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme për tre arsye:
“Së pari, sepse ligji është antikushtetues, ka fuqi prapavepruese dhe bie ndesh me të paktën dy ligje të tjera në fuqi në Mal të Zi. Së dyti, ky version i propozuar i ligjit i shkakton dëm të drejtpërdrejtë të gjithë bujqve në Mal të Zi,” deklaroi ai.
Millatoviq theksoi se ka vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duke kryer detyrën e tij institucionale.
Ai gjithashtu u shpreh se pas kërcënimeve është krijuar një atmosferë e keqe, për të cilën fajësoi persona të afërt me Gjeloshajn.
“Çka më shqetëson edhe më shumë është që të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë Qeverinë e Malit të Zi dhe kryeministrin, kanë heshtur për këtë situatë. Mendoj se kjo dërgon një mesazh shumë të gabuar dhe të rrezikshëm,” tha presidenti i Malit të Zi.
“Nëse kjo është mënyra se si ndërtojmë Malin e Zi si një shtet të së drejtës, atëherë jemi në rrugë të gabuar,” porositi Millatoviq.
Në një pyetje nga gazetarja e Televizionit të Malit të Zi, nëse mesazhet janë nxjerrë nga konteksti, ashtu siç pretendon Gjeloshaj, duke thënë se ai vetëm ka dhënë këshilla, Millatoviq u përgjigj se pas deklaratës së tij, tashmë u takon organeve kompetente të prononcohen mbi këtë ngjarje.
“Është e papranueshme që presidenti të kërcënohet gjatë kryerjes së detyrës së tij. Po atëherë çfarë mund të presë një gjyqtar kur jep një vendim ose një prokuror kur ngre një aktakuzë?” pyeti në fund Millatoviq.