KRYETARI GJELAJ: TATIMI MBI PRONËN NUK ËSHTË VETËM LIGJ, POR ÇËSHTJE DREJTËSIE PËR TUZIN

Foto: Komuna e Tuzit

Çështja e tatimit mbi pronën e paluajtshme në Mal të Zi nuk mund të shihet shkëputur nga konteksti i saj më i gjerë, dhe aq më pak të trajtohet si një problem teknik apo administrativ. Për Komunën e Tuzit dhe qytetarët e Malësisë, kjo është një çështje thellësisht politike, historike dhe ekonomike, që rrënjët i ka në dekada të tëra të shpërfilljes institucionale, mohimit të të drejtave pronësore dhe margjinalizimit sistematik.
Mosnënshkrimi i Ligjit për Tatimin mbi Pronën e Paluajtshme nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, nuk përfaqëson vetëm ndalimin e një akti juridik, por fatkeqësisht përbën pozicionim në anën e atyre që besojnë se Tuzi nuk duhet të ketë në dorë resurset e veta dhe se nuk meriton pavarësi fiskale. Vendimi i tij, sado që paraqitet si ligjor apo i bazuar në ekspertizë, në thelb dërgon një mesazh të qartë se të ardhurat nga tatimi mbi pronën nuk duhet t’i përkasin Komunës së Tuzit.

Shtrohet një pyetje e logjikshme dhe e pashmangshme:
Pse rritet vlera e tokës në territorin e Tuzit kur shpronësohet për nevojat e shtetit, por bie kur Komuna kërkon të mbledhë tatim mbi bazën e një vlerësimi real?
Dua të rikujtoj se kjo e njëjta tokë, sot objekt debatesh dhe vlerësimesh selektive, në masë të madhe është marrë me dhunë gjatë viteve ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar, pa kompensim dhe pa procedura ligjore, përmes projektit të Agrokombinatit “13 Korriku”. Tokat më pjellore të Malësisë janë nacionalizuar nën pretekstin e zhvillimit, por në të vërtetë janë dhënë ndërmarrjeve shtetërore, duke i privuar kështu një populli dhe një rajoni mjetin themelor të jetesës dhe të drejtën për zhvillim.

Sot, më shumë se gjysmë shekulli më vonë, toka në të njëjtin territor ka vlera krejtësisht të ndryshme , në varësi të interesit të atyre që e vlerësojnë. Kur “Plantaže” raporton vlerën është 0.56 euro/m² ose 6.71 euro/m². Kur Komuna e Tuzit kërkon një vlerësim të pavarur çmimi është 17 euro/m². E kur toka shpronësohrt për ndërtimin e bulevardit atëherë ajo vlerësohet me 75 euro për metër katror.

Këto shifra nuk pasqyrojnë tregun, por një politikë selektive, manipulim të qëllimshëm dhe vazhdim të kontrollit institucional mbi të ardhurat dhe të drejtat e Komunës së Tuzit. Nëse toka ka vlerë për shtetin duhet ta ketë edhe për komunën. Nëse ka tatim për të gjithë duhet të ketë edhe të ardhura për të gjithë. Përndryshe, nuk flasim për drejtësi, por për një padrejtësi të zgjatur.

Në fund, të gjithë duhet të dinë një fakt kyç: ky ligj që sot kontestohet nga Presidenti i Malit të Zi ka qenë në fuqi për më shumë se 30 vjet në Mal të Zi.
Për tri dekada i njëjti mekanizëm tatimor është zbatuar në të gjithë shtetin, atëherë kur, natyrisht, Komuna e Tuzit nuk ekzistonte. Dhe pikërisht në atë kohë thuhej se Tuzi nuk mund të mbijetojë si komunë. Thuhej se nuk kemi kapacitete, nuk kemi potencial ekonomik, nuk kemi fuqi administrative.

E tani një pyetje e thjeshtë për presidentin Milatoviq:
Pse është ndryshuar ky ligj, të cilin ai sot e kundërshton, më 30 dhjetor 2021?
Nëse ai vetë nuk e di, mund të pyesë këshilltarin e tij. Ndoshta do të marrë një përgjigje që do të hedhë dritë mbi arsyet se pse sot ky ligj është “problematik”, dhe pse po krijohet zhurmë rreth një ligji që ka qenë i pranueshëm dhe i zbatueshëm për më shumë se 30 vjet, derisa erdhi momenti që prej tij të përfitojë edhe Komuna e Tuzit.

Ndoshta, në të vërtetë, është mirë që presidenti nuk e ka nënshkruar.
Ndoshta ky është momenti ideal që Prokuroria Speciale e Shtetit (SDT) të hyjë më në fund në “Plantaže”. Të kontrollohen vlerësimet e tokës, ndryshimet në strukturën pronësore, mënyra e menaxhimit të resurseve shtetërore dhe marrëdhëniet me interesat private. Nëse flasim për përgjegjësi fiskale dhe interes publik atëherë le të hetohet gjithçka deri në fund.

Sot, kur Komuna e Tuzit ekziston, kur tregojmë pjekuri institucionale, kur kërkojmë vetëm atë që u takon të gjitha vetëqeverisjeve lokale, po na mohohet instrumenti bazë i financimit lokal.
Po kontestohet një ligj që ka vlejtur për të gjithë përveç nesh. Dhe e gjitha kjo nën arsyetimin e “pasigurisë ligjore”, ndërkohë që thelbi është i qartë: të mos lejohet që të ardhurat nga tatimi t’i takojnë komunës që ende dikush dëshiron ta shohë si të paaftë dhe të varur.

Komuna e Tuzit nuk do të lejojë që seleksionimi fiskal të bëhet normë institucionale.
Nuk kërkojmë më shumë se çka kanë të tjerët por nuk do të pranojmë as më pak se çfarë meritojmë.

Kryetar i komunës,

Lindon Gjelaj

SHARE