Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, gjatë dëshmisë së tij në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Podgoricë, mohoi kategorikisht se i ka bërë ndonjë kërcënim Presidentit të Shtetit, Jakov Millatoviq.
Ai theksoi se Millatoviq ka publikuar vetëm një pjesë të komunikimit të tyre, jo të gjithë përmbajtjen.
Pas dhënies së deklaratës në Prokurori, Gjeloshaj u prononcua për mediat:
“Dua të theksoj se është publikuar vetëm një pjesë e komunikimit tonë, dhe jo e gjithë biseda, e cila kishte më tepër karakter këshillues dhe politik. Sa i përket vendimit që ka marrë Presidenti, mendoj se nuk ishte i duhuri. E kam informuar përmes mesazhit se e di saktësisht cili bashkëpunëtor nga kabineti i tij ka ndikuar në atë vendim. I kam thënë gjithashtu se ky vendim do të shkaktojë reagime nga politikanë në Mal të Zi dhe, siç e pamë, edhe nga SHBA.”
Ai shtoi se gjithçka që i ka shkruar Presidentit tashmë ka ndodhur dhe e quajti të gjithë situatën një “cirk”, që i ka dëmtuar qytetarët, veten dhe strukturat politike që përfaqëson.
“Siç i thashë edhe prokurorit, komunikimi ynë ishte mes dy politikanësh,” deklaroi Gjeloshaj.
Ai nënvizoi se Ligji për vetëqeverisjen lokale përcakton qartë përgjegjësitë institucionale, dhe se përpjekja për ta paraqitur atë si përgjegjës në cilësinë e kryetarit të Komunës së Tuzit për vendime që i merr Sekretariati përkatës, është, sipas tij, një shmangie nga thelbi i problemit dhe një përpjekje për të mbuluar arsyet e vërteta përmes “këtij cirku”.
Gjeloshaj kujtoi se ish-kryetari i Bordit të Drejtorëve të kompanisë “Platacionet” kishte ndryshuar këtë ligj më 30 dhjetor 2021, ku në atë kohë ministër i Zhvillimit Ekonomik ishte vetë Jakov Millatoviq, aktualisht President i Shtetit.
“Më kanë konfirmuar se ky ndryshim ligjor është bërë pikërisht për shkak të Komunës së Tuzit. Ne, si përfaqësues të interesuar për suksesin e kompanisë Platacionet, kemi bashkëpunuar me Kuvendin e Malit të Zi, Qeverinë dhe Komunën e Tuzit në mënyrë konstruktive, dhe synimi ynë është të ndihmojmë në rimëkëmbjen e kompanisë. Komuna e Tuzit ka shprehur gatishmërinë të heqë dorë nga ky tatim, sepse dëshiron që Plantacionet të jenë një kompani e suksesshme,” theksoi Gjeloshaj.