Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbisë, Peter Sorensen të mërkurën ka qëndruar në Kosovë.
Ai ka takuar krerët shtetëror, e tha se dialogu është “gjallë e mirë”, derisa njoftoi se ka biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por që sipas tij, situata politike po shkakton vonesa.
“Sapo pata takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si ta implementojmë Marrëveshjen e Ohrit, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, shprehet Peter Sorensen – Emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas Presidencës së Kosovës pikërisht kjo ishte ndër temat që presidentja Vjosa Osmani diskutoi në takimin e paradites me ndërmjetësin.
Krahas kësaj, thuhet se “presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”.
Për dialogun, Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm. Ndërkohë bëhet e ditur në njoftim se presidentja ka shtruar nevojën për avancimin e integrimit evropian për Kosovën e largimin e masave ndëshkuese.
I dërguari i Posaçëm i dialogut, Peter Sorensen takoi edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin e zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.
Gjatë një prononcimi për gazetarë, në një ngjarje tjetër të organizuar në Prishtinë, Kurti tha se me Sorensenin ka biseduar për gjendjen e komuniteteve në Kosovë, veçmas të atij serb.
Kurti tha se ky komunitet ka të drejta të garantuara me Kushtetutë, siç është përdorimi i gjuhës serbe në të gjithë territorin, e jo vetëm në komunat ku ata janë shumicë.
Ai tha se që nga viti 2023 – kur në katër komunat në veri të Kosovës u zgjodhën kryetarë shqiptarë – në veri janë bërë hapa për integrimin e serbëve.
Këtu ai përmendi punësimin e serbëve përmes një programi qeveritar dhe hapjen e bizneseve të reja në atë pjesë.
“Çfarëdo që bëjmë ne është në funksion të integrimit të serbëve dhe nuk është shkelje e Marrëveshjes së Ohrit, por përkundrazi në përputhje me të. Por, e kundërta vlen për Serbinë, e cila nuk e respekton marrëveshjen dhe e shkel atë vazhdimisht”, tha Kurti.