NIKA DHE GJEKA TAKOHEN ME ZV.MINISTREN E ARSIMIT DHE SPORTIT ALBANA TOLA DHE ME REKTORIN E UT-së ARTAN HOXHA

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, së bashku me Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka dhe Drejtorin e Përgjithshëm për pakica, Arben Xhurreta, realizuan sot një vizitë pune në Tiranë  ku u takuan me zv.Ministren e Arsimit dhe Sportit , Albana Tolen.

Në takim është diskutuar për kuotat e pranimit në Universitetet Publike për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi për vitin akademik 2023/2024, për procedurat e regjistrimit, afatet e aplikimeve, për nevojen e kuotave të veçanta për kandidatët nga Mali i Zi, për caktimin e kuotave për  studimet Master dhe Doktorature dhe për specializime në shkencat e Mjekësisë.

„Kemi rënë dakord që të kemi komunikim të vazhdueshëm në të ardhmen, për çështje të ndryshme që mund të dalin gjatë procesit të aplikimit të studentëve për regjistrim në Universitetet e Republikës së Shqipërisë,“ thuhet në njoftim.

Gjithashtu në kuadër të kësaj vizite realizuan takim edhe me Rektorin e Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha, me të cilin folën për kuotat e caktuara për kandidatët shqiptar nga Mali i Zi për këtë vit akademik.

Rektori prof. Hoxha theksoi se studentët shqiptar nga Mali i Zi janë përherë të mireseardhur të ndjekin studimet në kuadër të Universitetit të Tiranës dhe tha se për këtë vit kanë përcaktuar 90 kuota për kandidatët shqiptar nga Mali i Zi.

Në përmbyllje të takimit, janë dakorduar të vazhdojnë bashkëpunimin për çështje që kanë të bëjnë me arsimimin e të rinjëve shqiptar nga Mali i Zi në kuader të Universitetit të Tiranës.

SHARE