EKSPERTËT: RRITJA E TEMPERATURAVE PO SHPEJTON SHKRIRJEN NË BRENDËSI

Temperaturat në rritje po dëmtojnë ato që konsideroheshin prej kohësh si shtresa të fjetura, pothuajse të fosilizuara akulli, duke i bërë më të paqëndrueshme dhe të rrezikshme akullnajat në Alpet e Europës. Problemi i madh që vërejnë ekspertët është se këto masive akulli po shkrijnë jo vetëm në pjesën e sipërme, por edhe në brendësi, dhe kjo e bën thuajse të pamundur parashikimin e saktë të shembjes së tyre. Shembja e një akullnaje alpine të dielën në Itali shkaktoi vdekjen e të paktën shtatë personave, duke e tërhequr në mënyrën më tragjike vëmendjen tek ky fenomen. Italia po përballet me një fillim-vere përvëlues, pasojat e të cilit po shihen tek thatësira e përkeqësuar në luginën pjellore të lumit PO, e së fundi shembja e kullnajës në in Marmolada. “E njoh shumë mirë atë akullnajë. Vërtet u befasova. Para këtij incidenti, nuk do të kisha menduar se ajo ishte e rrezikshme. Ajo ndikohet shumë nga shkrirja dhe tkurrja e akullit për shkak të nivelit të lartësisë në të cilën ndodhet dhe konsiderohej si një akullnajë tipike, që po pësonte tkurrje dhe që mund të zhdukej në vitet e ardhshme. Pra, ishte vërtet e papritur të shihje një shembje të tillë të akullnajës, e ndikuar kaq shumë nga ndryshimet klimatike”, tha Giovanni Baccolo, studiues i akullnajave në Universitetin e Milanos, i cituar nga Reuters. Temperatura, që normalisht është nën zero në malin Marmolada, të shtunën arriti në dhjetë gradë Celsius, cka ndikoi që një sasi e madhe akulli të shembej pranë Punta Rocca, në rrugën që zakonisht përdoret nga alpinistët për të arritur majën e malit. Baccolo paralajmëroi alpinistët e guximshëm, që shkojnë në male për t’i shpëtuar vapës së verës, të jenë të kujdesshëm, sepse temperaturat e larta po dobësojnë strukturën e akullnajave.

SHARE