Qeveria të premten do të votojë mbi Marrëveshjen themelore me Kishën Ortodokse Serbe, ka deklaruar kryeministri Dritan Abazoviq dhe ka shtuar se nuk i shkon ndërmend që, siç tha ai, të bie nën ndikimin e ekstremistëve brenda qeverisë. Ai ka thënë se kjo pikë do të trajtohet të premten në një procedurë të rregullt. Abzoviq thotë se historia me elementet fashiste që duhet ta destabilizojë qeverinë nuk shkon në favor të askujt dhe se nuk dëshiron të kthehet në vitet e nëntëdhjeta. Abazoviq tha se Mali i Zi është shteti i vetëm në botë ku Ministri i Mbrojtjes dëshiron konflikte të qytetarëve të vetë dhe ku Ministri i Punëve të Jashtme merret me kishën më shumë sesa me integrimet evropiane. Marrëveshja themelore nuk ka përparësi në lidhje me ndonjë çështje tjetër, tha Abazoviq, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në Tivat. I pyetur nëse e kanë shumicën në Qeveri për Marrëveshjen themelore, Abazoviq tha se ai është kryeministri më liberal që ka pasur Mali i Zi dhe se nuk i shkon ndërmend të bëjë presion ndaj asnjë ministri për ndonjë çështje. Unë kërkoj nga ministrat që të mos i telefonojnë ministrat e tjerë dhe të bëjnë presion të tillë, midis të tjerëve edhe nga ministri i mbrojtjes, tha Abazoviq.