Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Projektligjin për “Ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”, raporton Anadolu.
Pas diskutimeve në seancën e sotme plenare, marrëveshja në fjalë është ratifikuar me 71 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Sipas institucioneve shqiptare, kjo marrëveshje ka për qëllim të ofrojë mbështetjen afatgjatë të Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991, dhe të drejtën e saj të natyrshme për “vetëmbrojtje kundër agresionit të Rusisë”.
Marrëveshje synon që, brenda kapaciteteve të saj, Republika e Shqipërisë të ofrojë mbështetje politike, ushtarake, teknike, mbrojtëse dhe humanitare për Ukrainën, si pjesë e bashkëpunimit dypalësh dhe ndërkombëtar.
Gjatë prezantimit në seancë të marrëveshjes, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nënvizoi se “që prej fillimit të agresionit të paprovokuar rus ndaj Ukrainës, Shqipëria ka qëndruar qartë se është në anën e ligjit, të drejtës ndërkombëtare dhe të popullit ukrainas”.
“Si vend anëtar i besueshëm i NATO-s, marrim përgjegjësitë e nevojshme në mbrojtje të rendit ndërkombëtar që garanton paqen dhe lirinë për të gjithë”, ka shtuar Hasani.
Gjithashtu theksohet se me anë të kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë ndërmjet dy vendeve, “me qëllimin e vetëm për respektimin dhe ruajtjen e paqes, si një element thelbësor i njohur ndërkombëtarisht dhe që buron edhe nga Karta e Kombeve të Bashkuara”.
“Shqipëria ka shprehur solidaritetin e saj të plotë që në krye të herës ndaj Ukrainës, në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe të drejtës së kombeve për të jetuar të lirë nga frika e agresionit dhe do të vazhdojë ta mbështesë jo vetëm politikisht, por edhe praktikisht së bashku me partnerët e saj, NATO-n dhe BE-në”, thuhet në relacionin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në lidhje me marrëveshjen.
Marrëveshja Shqipëri-Ukrainë për bashkëpunimin mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë është nënshkruar në Davos më 21 janar 2025 dhe pas dekretimit nga presidenti i Shqipërisë do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.