Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka votuar për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Këto masa u vendosën më 1 prill nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit janë hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke i hequr pengesat për procesin e dialogut, në përputhje me zotimet që kemi dhënë para partnerëve tanë ndërkombëtar.
“Tani presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesin e dialogut. Por ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t’i jepet shansë dialogut, por theksoi se nuk mund të japë një datë të saktë se për sa kohë ky vendim do të mbetet në fuqi.
Kryeministri Hoti tha se për vendimin për shfuqizimin e masave të reciprocitetit është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. Ai tha se gjatë takimit që ka pasur të premten me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka marrë zotimin se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë që Serbia po ashtu të heqë pengesat për dialog, siç është fushata për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Hoti tha se ai është i gatshëm që menjëherë sapo Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, të rinisë dialogun me ta, dhe potencoi se procesin e dialogut do ta udhëheqë ai dhe jo presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi tha se tani presioni ndërkombëtar duhet drejtuar kah Serbia, që siç u shpreh ai “pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e së cilit udhëheqë me qeverinë, e cilësoi si “vendim të guximshëm” heqjen e reciprocitetit.
Ai tha se tani pret tha se pret nga Serbia që të dëshmojë se është e interesuar për dialog dhe të ndërmarrë masa për të krijuar kushte, që bisedimet të rikthehen.