Foto: NTV
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare shqiptare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzitore dhe “unifikuese”.
Propozimi i Abdixhikut vjen pas një letre që ai e mori nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, për koalicion qeverisës dhe pas dështimeve të njëpasnjëshme për formimin e institucioneve të reja rreth tre muaj pas zgjedhjeve.
“Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të tranzicionit”, tha Abdixhiku në një konferencë për media në Prishtinë.
Abdixhiku e hodhi poshtë ofertën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke thënë se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar.
“E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”, tha ai.
Ai i ktheu përgjigje Kurtit edhe përmes një letre pas marrjes së kërkesës për koalicion qeverisës, në të cilën, ndër të tjera, thuhet se Kosova ndodhet në “një krizë të thellë politike dhe institucionale për shkak të dështimit tuaj të krijoni partneritete politike që do ta garantonin shumicën”.
Abdixhiku tha se i ka ftuar liderët e partive parlamentare dhe se e fton edhe Kurtin, për takim konsultativ për ta nisur këtë proces.
Ai tha se qeveria e tranzicionit do të kishte një kryeministër “unifikues” dhe se do të zgjaste deri në kohën kur vendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri, pra në prill të vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.
“Po flasim për qeveri nacionale të tranzicionit, të unitetit të tanishëm, të domosdoshëm për Kosovën dhe me afat të shkurtër. Me kryeministër dhe kabinet unifikues deri në zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, tha ai.
Kurti e përsëriti të martën gjatë një ngjarjeje në Gjilan se ai “unë do të jem kryeministër dhe vazhdojmë tutje”, pasi ishte pyetur rreth formimit të institucioneve të reja.
Abdixhiku tha se disa prej liderëve të partive parlamentare kanë shprehur gatishmëri për këtë dhe se Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka pranuar ftesën.