PROTESTAT, 2 MIJË TË ARRESTUAR / POLICIA NIS PASTRIMIN E TENDAVE NË UNIVERSITETET E SHBA

Protestat e fuqishme të studentëve nëpër kolegjet dhe universitetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara kundër luftës së Izraelit në Gaza kanë vijuar.

Mediat vendase raportojnë madje se këto protesta janë shoqëruar me arrestime të tjera. Të paktën 25 studentë protestues u arrestuan në Universitetin e Virxhinias në Charlotsville për shkelje të ligjit pasi policia ndërhyri për të shkatërruar një kamp pro palestinez në Kampsus.

“Një protestë pro-palestineze në universitet u mbyll pasi policia universitare dhe ajo lokale nuk lejuan shkeljet e shumta dhe të përsëritura të disa prej politikave të universitetit, duke përfshirë përdorimin e tendave dhe zhurmat. Më pas pati edhe sjellje të dhunshme”, thuhet në një deklaratë të universitetit.

Mediat raportuan gjithashtu se studentët u përplasën me forcat e policisë që ruanin rendin. Po ashtu raportohet për të paktën 50 studentë të tjerë të arrestuar në Institutin e Artit në Çikago. Presidenti i shkollës tha se bisedimet me protestuesit për një kompromis kishin dështuar, cka solli edhe ndërhyrjen e policisë.

Më shumë se 2,000 arrestime janë bërë në dy javët e fundit në të gjithë Shtetet e Bashkuara, disa gjatë konfrontimeve të dhunshme me policinë. Presidenti Joe Biden, i cili është përballur me presion nga të gjitha palët politike për konfliktin në Gaza tha se “Ne nuk jemi një komb autoritar ku i mbyllim gojën njerëzve apo shtypim disidentët.

Por nuk jemi as një vend pa ligj. Ne jemi një shoqëri civile dhe rendi duhet të mbizotërojë.” Deklaratat e tij erdhën disa orë pasi policia sulmoi demonstruesit në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos.

SHARE