Komisioni i Venecias, një organ ekspertësh në të drejtën kushtetuese të Këshillit të Evropës, publikoi sot një opinion të ri urgjent pasues për draftin e rishikuar të ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Gjyqtarët në Mal të Zi, i cili, ndër të tjera, propozon që vetëm anëtarët e Këshillit Gjyqësor të nisin procedimin disiplinor.
Në dokument thuhet se Komisioni i Venecias mirëpret përpjekjet e Ministrisë së Drejtësisë së Malit të Zi për forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit, si dhe Projektligjin që u ndryshua për t’u harmonizuar me rekomandimet e tyre të mëparshme.
“Komisioni vlerëson gjithashtu miratimin e strategjisë së komunikimit të Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave për periudhën 2024-2026 me synim rritjen e transparencës së gjyqësorit dhe rritjen e besimit të publikut ndaj tij. Autoritetet malazeze inkurajohen të mbështeten në progresin e bërë deri më tani dhe të vazhdojnë punën e tyre, duke përfshirë konsultimet publike në punën përgatitore legjislative dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve kombëtarë, duke mbajtur një dialog konstruktiv me Komisionin e Venecias”, thuhet në dokument.
Komisioni i Venecias vlerësoi ndryshimet në projektligj.