GAZDIQ: PËR SHKAK TË RESHJEVE TË PAKTA GJATË DIMRIT, MUND TË KETË MUNGESË UJI

Në Mal të Zi, për shkak të sasisë së pamjaftueshme të reshjeve gjatë dimrit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, këtë vit mund të ketë mungesë uji, paralajmëroi drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Milan Gazdiq.

Ai tha se vitet e fundit pasojat e ndryshimeve të modeleve klimatike janë të dukshme në Mal të Zi dhe se njoftimet për periudhën e ardhshme nuk janë aspak optimiste kur bëhet fjalë për zonën mesdhetare, në të cilën ndodhet vendi ynë.

“Më së miri mund të shohim se çfarë ndryshimesh po ndodhin vitet e fundit, madje edhe një dekadë më parë, këtë vit dimri ka qenë pa borë, gjë që është shumë shqetësuese për shkak të bilancit të ujit dhe ndoshta do të kemi probleme me burimet ujore. Ka një mundësi të mungesës së ujit”, tha ai.

Ai tha se planifikojnë të fokusohen shumë në ndërtimin e hidrocentraleve të reja në të ardhmen.

“Ne mund të ndjekim në dy vitet e ardhshme dhe të bëjmë hulumtime, për të parë se sa është ulur niveli i ujit dhe si është situata me hidrocentralet e vogla, sepse ky segment mund të vlerësohet më së miri atje”, tha Gazdiq.

Ai vuri në dukje zjarret e shpeshta në mars dhe prill – muaj kur kjo nuk është e zakonshme dhe karakterizohet me reshje bore.

“Ky sezon ka nisur shumë keq, kemi pasur zjarre në shumë lokacione në Mal të Zi. Fatmirësisht ra shi shumë shpejt, kështu që ne patëm fat”, tha Gazdiq dhe theksoi se në periudhën 2014-2018 janë shkatërruar 35 mijë hektarë pyje nga zjarret, gjë që është shqetësuese për Malin e Zi, si vend i vogël.

SHARE