Mijëra studentë shqiptarë nga universitetet e Maqedonisë së Veriut po protestojnë sot në Shkup.
Ata po kërkojnë respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Kushtetutës dhe sigurimin e drejtësisë në sistemin arsimor.
Protesta ka filluar në hyrje te Ura e Gurit dhe pritet të vazhdojë deri para objektit të Ministrisë së Drejtësisë.
Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, duke e konsideruar këtë si një të drejtë themelore dhe të garantuar me ligj.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve, duke theksuar se kjo nuk është vetëm një çështje studentore, por një përpjekje më e gjerë për mbrojtjen dhe avancimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.
Ndërkohë, bëhet e ditur se organizatorët e protestës janë ftuar paraprakisht në polici për një bisedë informative.
Pavarësisht kësaj, protesta ka vazhduar, duke marrë mbështetje nga individë, funksionarë dhe organizata të ndryshme nga Maqedonia e Veriut.
Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa studentët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë angazhimin e tyre deri në realizimin e kërkesave.
Protesta e studentëve është mbështetur edhe nga Tirana zyrtare, dhe Kosova, duke bërë thirrje që të respektohet e drejta e e tyre Kushtetuese.










