Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, parti opozitare, janë zotuar të hënën se do t’i vazhdojnë diskutimet për çështjen e presidentit të vendit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Jemi të përkushtuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse ato nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë tjera, është e vështirë që të paramendohet një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona dhe me po të njëjtat zotime kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe”, ka thënë Kurti pas takimit pothuajse dyorësh që e ka zhvilluar me kreun e LDK-së në ambientet e Kuvendit.
Ai ka thënë se disa pika të takimit do të mbesin konfidenciale, pa treguar se në çfarë drejtimi është diskutuar për pozitën e presidentit.
Takimi është zhvilluar pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e ka marrë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.
“Ndodhemi aty ku ndodhemi. Unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do të mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund të them që e kemi sot, veçse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhje, në anën tjetër, më bën optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në ditën apo orën e fundit”, ka deklaruar Kurti, duke paralajmëruar takime edhe me Bedri Hamzën, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), partisë më të madhe opozitare në vend.
Edhe Abdixhiku ka thënë se palët po përpiqen të arrijnë deri te një zgjidhje. “Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët, konsensuale, me takime. Kjo është rruga që duhet ndjekur përpara. Do ta ndjekim këtë rrugë sa herë që mundemi për t’i shmangur zgjedhjet”.
I pyetur nëse LDK-ja pati emra konkretë për pozitën e presidentit, ai tha se palët “nuk kanë arritur ende në atë fazë”.
“Në proces janë dy emra, kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-ja e ka pozicionin e vet të qartë se jo të gjitha pozitat shtetërore mund t’i takojnë një partie politike, ky është pozicioni ynë”.










