Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja për Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviq, deklaroi se Mali i Zi e sheh veten si një urë mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, duke mbështetur procesin e zgjerimit të bazuar në merita.
Ajo theksoi se vendi synon të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028 dhe të përmbyllë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit aktual.
Sipas saj, Mali i Zi është kandidati më i avancuar dhe ka bërë përparim të dukshëm përmes reformave të shumta.
Gorçeviq vlerësoi se reformat janë sfida kryesore, por të domosdoshme për forcimin e institucioneve dhe përgatitjen për anëtarësim.
Ajo tha se rreth 80% e qytetarëve mbështesin integrimin në BE. Lidhur me rezervat e disa shteteve si Franca dhe Kroacia, ajo u shpreh se ato nuk përbëjnë kundërshtim ndaj anëtarësimit të Malit të Zi, por lidhen me çështje të brendshme të BE-së dhe çështje bilaterale që duhet të zgjidhen.
Ajo nënvizoi se Mali i Zi është i përkushtuar ndaj reformave dhe integrimit, duke theksuar se Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat është një mundësi për të forcuar mbështetjen politike për procesin e integrimit.
Sipas saj, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa integrimi i rajonit kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës.
Gorçeviq theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të BE-së në kushtet aktuale gjeopolitike dhe ndikimin e konflikteve globale, duke nënvizuar se një Evropë e zgjeruar dhe e fortë është më e aftë të përballet me sfidat.











