Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen po takohen me presidentin kinez, Xi Jinping me qëllimin të përcjellin një mesazh uniteti mes dyshimeve se Kina po kërkon të shfrytëzojë krisjet në radhët e aleancave europiane.
Të dy ata mbërritën në Pekin të mërkurën, ndërsa Xi I priti vetëm sot. Diskutimet mes tij, Macron dhe Von der Leyen do të fokusohen kryesisht tek tregtia, lufta në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike.
Një ditë më parë, shefi i Elizesë u shpreh se Kina ka një rol të madh në rrugën drejt paqes në Ukrainë, dhe se Franca po kërkon të punojë me Pekinin “në këtë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin” në Kiev. Edhe pse Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, vizita e Xi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dy javë më parë dërgoi një mesazh partneriteti mes dy vendeve.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Kina në fakt është duke e ndihmuar ekonominë e Rusisë në kohën kur ajo përballet me sanksionet gjunjëzuese të Perëndimit për agresionin ndaj vendit fqinj. Stoltenberg ripërsëriti edhe një herë paralajmërimet ndaj Kinës që të mos dërgojë armë në Moskë, që të cilën lidershipi kinez është kujdesur ta shmangë deri tani.
Një ditë përpara mbërritjes së Von der Leyenit atje, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell e kritikoi Kinën për mbështetjen e Rusisë gjatë kohës së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës dhe e quajti këtë “një shkelje flagrante” të angazhimeve të Pekinit ndaj Kombeve të Bashkuara.