Shteti duhet të bëjë gjithçka që romët të jenë anëtarë të integruar, të respektuar dhe të barabartë të shoqërisë, tha kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq.
Sot në Kuvend është mbajtur seanca e parë e Parlamentit të Romëve, në prag të 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Gjuroviq tha se është një ngjarje që synon të tërheqë vëmendje të veçantë për të drejtat e komunitetit rom dhe problemet me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e tij çdo ditë.
Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, përshëndeti seancën e parë të Kuvendit të Romëve, duke thënë se është një sukses i madh për Malin e Zi si dhe për të gjithë ata që me përkushtim po punojnë për përmirësimin e pozitës së komunitetit rom dhe egjiptian.
“Nëse duam një shoqëri me mundësi të barabarta, së bashku duhet të ruajmë diversitetin kulturor dhe etnik të vendit tonë. Asimilimi i një komuniteti nuk është mënyra për të zhvilluar shoqërinë civile demokratike,“ tha Gjeka.
Ai theksoi se është një detyrim i përbashkët që t’u mundësohet komuniteteve rome dhe egjiptiane të ushqejnë kulturën e tyre, të përdorin gjuhën e tyre, të praktikojnë zakonet e tyre dhe të kenë një jetë më të mirë dhe më kuptimplotë.
Gjeka tha se dëshiron të vendosë praktikën e mbledhjes së Parlamentit Rom.