Buxheti i arsimit duhet të shpenzohet në mënyrë më efikase, në mënyrë që arsimi cilësor të jetë në dispozicion për të gjithë fëmijët, tha shefi i zyrës përfaqësuese të UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander.
Santander theksoi se ekziston nevoja urgjente për sigurimin e fondeve për financimin e ndërtesave të reja shkollore dhe pajisjen adekuate të të gjitha shkollave me teknologji të reja, si dhe trajnime të rregullta profesionale për të gjithë mësimdhënësit.
Ai tha se për të reduktuar varfërinë në Mal të Zi duhet të ofrohet arsim cilësor për të gjithë fëmijët e familjeve të varfra, romë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara zhvillimore, që në vitet e para të jetës.
Kryeministri Dritan Abazoviq theksoi se reforma e sistemit arsimor, përmirësimi i tij dhe planifikimi strategjik në sektorin e arsimit, si dhe domosdoshmëria e decentralizimit të tij janë vendosur si prioritete të Qeverisë së 43-të.
„Viti i ardhshëm do të jetë viti i realizimit të projekteve të shumta të ndërtimit dhe përshtatjes së objekteve parashkollore dhe shkollore dhe investimeve të drejtpërdrejta në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, e me këtë edhe në cilësinë e kushteve për arsimimin e fëmijëve në Mal të Zi”, tha Abazoviq.
Ministri i Arsimit, Miomir Vojinoviq, tha se investimet në infrastrukturë, trajnime dhe burime për punë në Mal të Zi janë në nivelin 15 për qind të buxhetit të përgjithshëm të ndarë për arsimin. “Kjo është ajo që duhet të ndryshojmë, sepse mungesa e investimeve është në korrelacion me rezultate të dobëta arsimore, rezultate nën pritshmëritë dhe potencialin e studentëve”, tha Vojinoviq.