KRYETARI I KKSH-së NIKA URON PRESIDENTEN E KOSOVËS OSMANI-SADRIUN

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi Faik Nika i ka dërguar një urim presidentes së posazgjedhur të Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriut me rastin e zgjedhjes në postin më të lartë në këtë shtet.

Më poshtë mund të lexoni të plotë urimin e Nikës.

E nderuar Presidente znj. Osmani-Sadriu,

Të lumtur për zgjedhjen Tuaj Presidente e Republikës së Kosovës, ju përcjellim urimet më të përzemërta në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, duke ju dëshiruar punë të mbarë e të suksesshme në krye shtetit të Kosovës.

Si pjesë e kombit shqiptar, na gëzon fakti i konsolidimit të shpejtë të institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, duke garantuar stabilitet politik, në respektim të vullnetit të qytetarëve, të shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, si garanci e funksionimit të demokracisë në shtetin më të ri në Evropë, që pa dyshim mund të shërbejë si model edhe për shtetet e rajonit.

Ne shpresojmë e urojmë që përveç angazhimeve Tuaja në plotësimin e obligimeve në shërbim të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, do të angazhoheni e punoni për çështjen e shqiptarëve në përgjithësi, përfshirë edhe shqiptarët në trevat e tyre në Malin e Zi.

Shpresojmë shumë, që në një të ardhme të afërt, të zhvillojmë bashkëpunimin institucional ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Presidencës së Republikës së Kosovës për çështje në dobi të shqiptarëve në të dy shtetet.

Me dëshirën që punët për zhvillim të Republikës së Kosovës të ecin sa më mbarë, ndërsa rezultatet të kthejnë shpresën e shqiptarëve për ndërtimin e së ardhmes në vendin e vet, ju urojmë suksese !

Më shumë respekt,

Kryetari

Faik Nika

SHARE