Sot, në QKI Malësia në Tuz, u bë ndarja e dekoratave për malësorët: Smajl Martini, Baca Kurt Gjekën Gjokaj, Trimat e Kojës, Zef Miliqi Lulgjuraj, Gjergj Gjokaj si dhe për imamin, Rexhep Lika. Institucioni i Presidencës së Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me institutin ,,Albanica” dhe me mbështetje të Komunës së Tuzit, organizoi sot, ceremoninë solemne, në të cilën Ambasadori, Këshilltari i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Flamur Gashi ndau dekorata për këta malësorë. I pranishëm në ndarjen e dekoratave ishte Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi, përfaqësues të Komunës së Tuzit në krye me kryetarin Nik Gjeloshaj, nënkryetarin Ivan Ivanaj, kryetarin e Kuvendit Fadil Kajoshaj. Ambasador Gashi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi që këto dekorata ndahen, në vijën e dekoratave që Republika e Shqipërisë u bën personave dhe figurave të ndritura të kombit të vet, personave që janë sakrifikuar për lirinë e kombit dhe për krijimin e shtetit shqiptar, për personat që qenë pjesë e lëvizjes së madhe të pajtimit të gjaqeve, personave që kanë lënë gjurmë në ruajtjen e dinjitetit dhe vlerave kombëtare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Dekorata ambasadori ua dha të dekoruarve apo më të afërmve të tyre. Kryetari i Komunës së Tuzit, z. Nik Gjeloshaj, falënderoi Institucionin e Presidencës për ruajtjen e vlerave kombëtare për shqiptarët që janë jashtë kufirit politik të Republikës së Shqipërisë, duke nderuar dhe kujtuar me dekoratat, këto figura të shquara dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për kombin.