Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në një konferencë për mediat këtë të premte, ku ka njoftuar se ka vendosur të shpërndajë Kuvendin.
Osmani tha se u detyrua ta marrë këtë vendim si pasojë e dështimit të Kuvendit për ta kryer detyrën e vet.
Ky vendim, siç e theksoi dhe vetë Osmani e çon Kosovën edhe një herë tjetër drejt zgjedhjeve të reja për të cilat presidentja shprehet se do të zhvillohen “Pas konsultimeve të cilat ne do t’i mbajmë me partitë politike. Natyrisht që qytetarët nuk e kanë dashur këtë. Këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit. Askush nuk do të dëshironte një cikël tjetër politik. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme”.
Sipas Osmanit, “zvarritjet do të krijonin situata akoma më të rrezikshme”.
Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas dështimit të seancës parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
Të pranishëm në këtë seancë ishin 65 deputetë dhe mungonin 55 të tjerë. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve të vinin në seancë. Ajo tha se deputetët e kanë detyrim të jenë të pranishëm sipas Kushtetutës së vendit dhe se ata nuk kanë marrë leje për të munguar.
Në mungesë të tyre, zgjedhja e presidentit u bë e pamundur, pasi nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë. dje ishte afati i fundit kur Kosova duhet t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.









