Foto: CdM
Koalicioni drejtues aktualisht në pushtet në Mal të Zi ka bërë një hap të rëndësishëm përpara për sa i përket procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe ka mbyllur tre kapituj të negociatave, tha raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec, duke prezantuar sot para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të këtij institucioni draft-raportin për Malin e Zi për vitin 2023 dhe 2024.
Sharec tha se ne kemi një situatë politike komplekse në Mal të Zi, por se është bërë përparim.
Siç tha ai, kapitulli i bashkëpunimit me vendet fqinje nuk është i mbyllur, kështu që ka ende shumë punë për të bërë.
Ai theksoi se do t’i përfshijnë komentet që i kanë marrë, por se të gjithë janë dakord që Mali i Zi është lider në procesin e zgjerimit dhe ambiciet e tij, si dhe ambiciet e BE-së, nënkuptojnë anëtarësimin e plotë gjatë asaj periudhe.
“Më duhet të theksoj se asnjë shtet anëtar nuk dëshiron që ky proces i zgjerimit të perceptohet si një mënyrë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Duhet të bëjmë gjithçka që të mbyllim kapitujt e negociatave, kështu thuhet në raport, dhe përveç kësaj, flitet për përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit, respektimin e të drejtave të njeriut, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë…”, thekson Sharec.
Siç thotë ai, kur ka vizituar Malin e Zi ka pasur shumë takime si me përfaqësues të shoqërisë civile ashtu edhe me aktorë politikë dhe të gjithë kanë shprehur dëshirën që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së. “Por interpretimi se si të arrihet atje ndryshon.
“Nuk kam vërejtur asnjë opsion politik që është skeptik ndaj BE-së, të gjithë dëshirojnë që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së dhe besoj se janë të vetëdijshëm për faktin se sondazhet e opinionit publik thonë se 80 për qind e popullsisë është pro zgjerimit dhe se Mali i Zi duhet të vazhdojë në këtë rrugë”, theksoi Sharec.
Ai thotë se kemi disa çështje të hapura dhe se ende nuk mund të supozojmë se gjithçka mund të shkojë mirë në këtë proces.
“Ka pasur probleme në Parlament, në funksionimin e autoriteteve lokale, nëse këto probleme nuk zgjidhen, nuk do të mund të zhbllokohet pagesa e mjeteve financiare, që ka të bëjë me ndërtimin e infrastrukturës”, paralajmëron Sharec.