Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në Komisionin për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, në seancën e sotme u diskutua për propozimin e ndryshimeve të Ligjit për tregtinë e brendshme, të cilin Këshilli Social e miratoi njëzëri këtë mëngjes.
Sipas këtij propozimi, dyqanet do të punojnë të dielave vetëm gjatë kulmit të sezonit turistik veror dhe dimëror, në një turn dhe në një objekt brenda një komune.
,,Përfaqësuesit e parlamentit, qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve u pajtuan kryesisht se kjo është një zgjidhje e mirë dhe se duhet vazhduar dialogu që të gjitha detajet të jenë të qarta ligjërisht dhe në përputhje me interesat e të gjitha degëve të biznesit.
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, theksoi se është e rëndësishme që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve duhet të jenë të hapur për dialog, pasi përmes tij arrihet edhe gjetja e zgjidhjeve.
“Ne kemi shumë praktika ligjore të miratuara për të ruajtur disa të drejta, sepse disa institucione nuk mund t’i zbatojnë ato siç është parashikuar, dhe kështu është edhe me këtë ligj për ditët e dielave ditë pushimi. Ne respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili na obligon të gjithë, dhe është në dorën tonë të gjejmë një zgjidhje. Ky vendim nuk ishte propozim i Qeverisë, por i deputetëve dhe Parlamentit që e miratoi, dhe detyrë e Parlamentit ishte të reagonte. Tani kemi një propozim të ri para Parlamentit dhe ne do të japim opinionin tonë pas përfundimit të dialogut me biznesin dhe partnerët socialë”, tha Gjeloshaj.
Ai shtoi se synojnë një zgjidhje që nuk do të jetë më objekt i vlerësimit kushtetues, që të respektojë të drejtat e punëtorëve dhe të mos jetë diskriminuese për ta, që ishte edhe arsyeja kryesore për shfuqizimin e vendimit të mëparshëm.









