PRESIDENTI MILLATOVIQ PËR NJË VIZITË ZYRTARE NË AUSTRI

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, me ftesë të presidentit të Austrisë, Aleksander Van der Bellen, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në këtë vend nga data 7 deri më 9 shkurt, është njoftuar nga zyra e Presidentit për marrëdhënie me publikun dhe kanë sqaruar se kjo është vizita e parë zyrtare e kreut të shtetit në Austri që nga rikthimi i pavarësisë së vendit.

“Gjatë vizitës së tij në Austri, presidenti Millatoviq do të ketë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë austriakë me të cilët do të diskutojë për integrimin evropian të Malit të Zi, forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe lidhjet kulturore, si dhe do të diskutojnë edhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Presidenti do të ketë një takim të veçantë edhe me shefin e diplomacisë austriake, Alexander Schallenberg.

Në Akademinë Diplomatike të Vjenës është planifikuar që presidenti Millatoviq të flasë për procesin e integrimeve evropiane.

Me vizitën në Austri, e cila njihet si përkrahëse e perspektivës evropiane të Malit të Zi dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Millatoviq,  vijon një sërë vizitash në kryeqendrat e Bashkimit Evropian me synimin për të përshpejtuar rrugën evropiane të vendit tonë.

SHARE