Zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) në Ballkanin Perëndimor dhe përshpejtimi i procesit të negociatave është imperativ dhe në interes të përbashkët të Bashkimit dhe vendeve kandidate, u vlerësua në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të rajonit dhe anëtarëve të grupit Miqtë e Ballkanit Perëndimor.
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi (MPJ), mikpritës i takimit në Romë ishte zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Krerët e diplomacisë së Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe Italisë, Greqisë, Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë ranë dakord se është jetike që BE të përfitojë plotësisht nga politika e zgjerimit.
„Ata vlerësuan se ai është njëkohësisht një instrument gjeostrategjik në duart e Bashkimit, veçanërisht i rëndësishëm në një kohë të konflikteve në rritje dhe sfidave të sigurisë globale”, thuhet në njoftim.
Siç theksuan ata, anëtarësimi në BE u dëshmua të jetë një katalizator për tejkalimin e konflikteve dypalëshe apo rajonale, por edhe për forcimin e besimit dhe ndërtimin e institucioneve të forta.
Ministrat e vendeve anëtare të Grupit të Miqve theksuan se janë pro një integrimi gradual dhe të përshpejtuar, i cili do të bazohej në kushtëzimin e drejtë, në përputhje me parimin e meritës individuale.