KUVENDI I SERBISË KONSTITUOHET MES FISHKËLLIMAVE E PANKARTAVE – OPOZITA BETOHET NË KORRIDOR

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë, ku u konfirmuan mandatet e deputetëve të përbërjes së re, kaloi me fishkëllima nga opozita.

Deputetët e opozitës ishin vendosur para foltores me pankarta ku shkruhej “I keni vjedhur zgjedhjet” dhe “Hajdutë kthejini mandatet”.

Lista e opozitës, Serbia kundër dhunës, pretendon se zgjedhjet e dhjetorit ishin të parregullta, gjë që pushteti e refuzon.

Për shkak të akuzave për vjedhje zgjedhore, deputetët e koalicionit Serbia kundër dhunës e kanë bërë betimin në korridorin e Kuvendit dhe jo në sallë.

Siç thanë ata, nuk kanë dashur ta bëjnë betimin me njerëz që kanë fituar mandate duke “vjedhur në zgjedhje”.

Para tyre, këtë e kanë bërë deputetët e koalicionit të djathtë Shpresa, i cili përbëhet nga Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë.

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë ka zgjatur rreth gjysmë ore. Gjatë asaj kohe vetëm janë konfirmuar mandatet, ndërsa deputetët kanë bërë betimin. Kryesuesi tha se do të njoftohen për vazhdimin e seancës.

SHARE