STUHI E MADHE BORE TË ENJTEN / NGRIN EVROPA, KAOS NË RRUGË E SHKOLLA TË MBYLLURA

Britania pritet të goditet nga një stuhi e madhe bore nga e enjtja, ndërsa vendi po përballet me valën më të rëndë të të ftohtit deri më tani.

Qindra shkolla u mbyllën të martën, ndërsa pati kaos në aeroporte dhe stacione hekurudhore, dhe zyrtarët e shëndetësisë kanë lëshuar paralajmërime të rrepta.

Stuhia “Goretti” do të sjellë borë, shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta në Angli dhe Uells të enjten dhe të premten. Meteorologët kanë lëshuar paralajmërime për Anglinë jugperëndimore dhe Uellsin përpara stuhisë.

Alarmi për të ftohtë therës është zgjatur deri të dielën, ndërsa temperaturat minimale të mëngjesit të të martës ranë deri në -12 gradë Celsius. Deri më tani, reshjet më të mëdha të borës janë regjistruar në Skoci, por pati dëborë edhe në Londër.

Të paktën 775 shkolla u mbyllën në të gjithë vendin për shkak të motit.

E gjithë Europa po përballet me mot të acartë, me borë dhe akull, gjë që ka çuar në anulimin e qindra fluturimeve në Holandë dhe ka marrë pesë jetë në Francë deri më tani.

Në Gjermani, temperaturat ranë shumë nën -10 gradë Celsius në jug dhe në lindje të vendit, mëngjesin e të martës. Pjesë të mëdha të vendit ishin të mbuluara me borë. Meteorologët parashikojnë një stuhi për të premten, me reshje të dendura bore dhe erëra të forta.

Në Francë, një valë e zgjatur e të ftohtit solli temperatura ngrirëse gjatë natës pas reshjeve të borës në Paris dhe pjesë të mëdha të vendit të hënën. Gjashtë aeroporte të vogla u mbyllën në perëndim dhe veri të Francës, por dy aeroportet kryesore të Parisit nuk patën anulime.

Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, i bëri thirrje njerëzve të udhëtojnë sa më pak të jetë e mundur dhe të punojnë nga shtëpia, duke paralajmëruar se bora e shkrirë dhe më pas e ngrirë gjatë natës ka krijuar kushte të rrezikshme në rrugë. Pesë persona kanë vdekur në aksidente rrugore të lidhura me ngricat që nga e hëna.

Bora dhe shiu kanë shkaktuar gjithashtu kaos në të gjithë Ballkanin Perëndimor këtë javë, duke mbyllur rrugë, ndërprerë energjinë elektrike dhe shkaktuar përmbytje. Një grua vdiq në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, të hënën, pasi një pemë e mbingarkuar me borë ra mbi të.

SHARE