SHTËPITË NË ADËN E BUNËS SOT JASHTË RREZIKUT; NIMANBEGU: PJESA TJETËR E ULQINIT NUK ËSHTË E KËRCËNUAR

Foto: Vijesti

Katër njësitë e akomodimit në Adën e Bunës, të cilat ishin seriozisht të rrezikuara nga stuhia e fortë që goditi zonën e Ulqinit ditët e fundit, tani janë jashtë rrezikut. Lajmin e bëri të ditur për Antenën M drejtori i Shoqërisë Turistike Publike “Riviera e Ulqinit” Armend Milla.

“Jugu i fortë dhe goditjet e mëdha të valëve gjatë ditëve të fundit kanë kërcënuar katër njësitë e akomodimit që janë më afër detit, por tani situata është qetësuar dhe i konsiderojmë jashtë rrezikut në këtë moment,” tha Milla.

Ai shtoi se situata është më e lehtë dhe që njësitë e akomodimit pritet të jenë funksionale gjatë verës.

Ky është një problem që përsëritet çdo vit. Masa të tilla si dunat artificiale dhe shtimi i rërës në plazh ndihmojnë pjesërisht, por erozioni mbetet një sfidë. Për një zgjidhje më të qëndrueshme, në nëntor janë zhvilluar takime me ministritë e Ekologjisë, Turizmit, Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, si dhe me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit.

Është rënë dakord që të kryhet një modelim i pjesës nënujore të bregut për të ndjekur lëvizjen e rërës. Ky modelim pritet të përfundojë brenda një viti dhe do të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për problemin e erozionit. Milla theksoi se bashkëpunimi me institucionet shtetërore është në nivel të lartë, por për këtë problem nevojiten edhe ekspertë nga jashtë vendit.

Përveç njësive të akomodimit të Rivierës së Ulqinit, pjesa tjetër e qytetit nuk është e rrezikuar, tha kryetari i komunës, Genci Nimanbegu.

Ai sqaroi se janë hapur kanalet kulluese, janë ndërhyrë ku ka pasur nevojë, dhe megjithëse ka sasi të mëdha uji, nuk ka pasur efekte të rënda si gjatë stuhisë së nëntorit. Të gjitha shërbimet e komunës janë në gatishmëri.

Nimanbegu shtoi se ekzistojnë probleme akute, por në këtë moment nuk ka arsye për alarm.

SHARE