Në orët e fundit Shqipëria është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu, ndërkohë raportohet për përmbytje në disa zona dhe probleme në disa akse rrugore, transmeton Anadolu.
Situata më problematike është raportuar në qarqet Durrës, Lezhë dhe Shkodër, ku janë shkaktuar edhe përmbytje të disa banesave dhe sipërfaqeve të tokave bujqësore.
Sipas autoriteteve, në disa zona për shkak të reshjeve të dendura të shiut janë përmbytur disa banesa, ndërkohë janë evakuuar edhe disa familje.
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale nga Bashkia e Durrësit thuhet se procesi mësimor është pezulluar në të gjitha shkollat e qytetit dhe në disa çerdhe dhe kopshte. Gjithashtu raportohet për pezullim të procesit mësimor edhe në disa shkolla të Qarkut të Lezhës.
Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë edhe Qarkun e Tiranës gjatë ditës së sotme, ku janë bllokuar disa akse rrugore.
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, në rrjetet sociale ka konfirmuar se reshjet e dendura të shiut do të vijojnë gjatë gjithë ditës së sotme.
Në njoftimin nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë konfirmohet se për shkak të reshjeve të dendura të shiut, është vështirësuar qarkullimi i mjeteve në disa zona të vendit.
Në një njoftim nga Instituti i Gjeoshkencave thuhet se sot dhe nesër priten reshje intensive kryesisht në veri dhe jug të Shqipërisë.








