Shqipëria po hedh një hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun digjital europian. Me ndryshimet e propozuara në ligjin për komunikimet elektronike, qeveria synon zbatimin e roamingut “si në shtëpi” me Bashkimin Europian.
Projektligji krijon bazën ligjore për uljen e kostove të komunikimit dhe harmonizimin e tarifave me standardet e BE-së.
“Ky ndryshim do të thotë se çdo qytetar shqiptar që udhëton në Europë do të mund të përdorë internetin, të kryejë thirrje apo të dërgojë mesazhe me të njëjtat çmime që paguan në Shqipëri, pa pasur nevojë të blejë karta të huaja apo të fikë telefonin nga frika e faturave të kripura,” tha një zyrtar i qeverisë.
Ndryshimet ligjore parashikojnë që tarifat e roamingut dhe të thirrjeve me vendet e BE-së të mos tejkalojnë tavanet e përcaktuara në nivel europian.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ngarkohet me monitorimin dhe zbatimin e këtyre rregullave.
“Rregulli i ri siguron që thirrjet që vijnë nga numrat e shteteve të BE-së drejt Shqipërisë të mos kushtojnë më shumë se një tarifë maksimale e vetme, e ashtuquajtur ‘Eurotarifë’. Kjo do të thotë se komunikimi me të afërmit që jetojnë në emigrim do të bëhet shumë më i lirë dhe i aksesueshëm për të gjithë. Operatorët që nuk respektojnë tarifat e reja apo vendimet e AKEP-it do të përballen me gjoba të rënda administrative,” nënvizoi zyrtari.
Zbatimi i këtyre dispozitave do të nisë në datën e dakordësuar në marrëveshjen dypalëshe mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke i hapur rrugë një modeli komunikimi më të lirë dhe më të parashikueshëm për qytetarët shqiptarë.








