PËRMBYTJE DHE RRUGË TË BLLOKUARA NË MAL TË ZI PAS RESHJEVE TË MËDHA TË SHIUT

Foto: Ilustrim

Reshje shiu kanë përmbytur pjesë të Malit të Zi, duke shkaktuar situata kritike në lumenjtë Zetë dhe Moraçë, ndërsa trafiku rrugor është i bllokuar në disa zona.

Rrugët Nikshiq–Podgoricë, kryqëzimi mbi lumin Zeta dhe drejt Beranave përmes Jellovicës janë të paarritshme.

Në Danillovgrad dhe Nikshiq, uji ka hyrë në shtëpi dhe rrugë lokale, ndërsa në Beranë është dëmtuar një pjesë e mbrojtjes së sapo ndërtuar të bregut të lumit.

Hidrologët paralajmërojnë se lumi Zeta po rritet me 35–40 centimetra në orë, ndërsa situata në veri po përmirësohet gradualisht.

Shira të mëdhenj janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Shavnik, Cetinë, Kollashin dhe Nikshiq, me mbi 120 litra për metër katror.

Në disa komuna, përfshirë Bijello Pole, është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për përmbytje. Ekipet komunale dhe makineritë janë mobilizuar 24 orë në ditë për mbrojtjen e njerëzve dhe pronave.

Një situatë e ngjashme është regjistruar edhe në Rogojeviq, ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati për shkak të mbeturinave që shkuan në rrjedha me shiun.

Autoritetet këshillojnë qytetarët: të shmangin udhëtimet e panevojshme; të mos afrohen tek lumenjtë dhe rrugët e përmbytura; të raportojnë çdo rrezik ose dëmtim te shërbimet emergjente; dhe të respektojnë masat e emergjencës.

Edhe pse situata është e vështirë, ekipet e shpëtimit dhe Shtabi i Emergjencave janë në gatishmëri të plotë, ndërsa meteorologët paralajmërojnë reshje të mëtejshme shiu, erëra të forta dhe mot të ftohtë gjatë ditëve në vijim.

SHARE