NË MAL TË ZI JANË REGJISTRUAR 277 RASTE GRIPI DHE DY VDEKJE NË DY MUAJ E GJYSMË

Foto: Ilustrim

Instituti për Shëndet Publik njoftoi se gjatë dy muajve e gjysmë të mbikëqyrjes intensive të infeksioneve të frymëmarrjes janë regjistruar 277 raste të gripit sezonale, ndërsa kanë ndërruar jetë dy persona, të cilët i përkisnin grupeve në rrezik dhe nuk ishin vaksinuar.

Ky vit ka shënuar një fillim më të hershëm dhe qarkullim më intensiv të virusit të gripit krahasuar me disa sezone të mëparshme. Virusi ka qenë më i përhapur tek fëmijët nga 5 deri në 14 vjeç.

Të gjitha rastet laboratorike të konfirmuara ishin të gripit tip A, ku 84% i përkisnin nëntipit A(H3) dhe 16% nëntipit A(H1).

Nuk është shfaqur një variant i ri i virusit, vetëm ndryshime të vogla gjenetike.

Gripi është një infeksion i mprehtë viral i rrugëve të frymëmarrjes, që përhapet me teshtim, kollë ose kontakt të afërt, dhe simptomat e zakonshme përfshijnë temperaturë të lartë, lodhje, dhimbje fyti, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe kollë.

Për shumicën e të sëmurëve, sëmundja kalon brenda disa ditëve, por mund të shkaktojë komplikime, sidomos tek të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Vaksinimi ka filluar më 20 tetor, dhe deri më 23 dhjetor janë vaksinuar 20,380 persona, numri më i madh në pesë vitet e fundit.

Vaksina nuk mbron 100% nga infeksioni, por zvogëlon ndjeshëm rrezikun e formave të rënda dhe komplikimeve.

ISHP rekomandon edhe masat e përgjithshme parandaluese: qëndrim në shtëpi në rast simptoma, shmangie e kontaktit me të sëmurët, distancë fizike, përdorim i maskës, larje e duarve, mos prekja e fytyrës dhe ventilim i ambientit.

SHARE