Disa rajone të territorit të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet pas reshjeve të dendura të shiut në orët e fundit, raporton Anadolu.
Rrugë të shumta sikurse autostrada Prizren-Prishtinë, sidomos aksi rrugor në afërsi të aeroportit janë bërë vështirë të kalueshme me automjete për shkak të ujit të grumbulluar që qarkullon mbi rrugë.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar vërshime veçanërisht në pjesën perëndimore, përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën, Rahovecin, Klinën si dhe në disa zona të pjesës qendrore si Skenderajn dhe Drenasin.
Sipas IHMK-së, si rezultat i intensitetit të reshjeve, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke krijuar rrezik për infrastrukturën dhe lëvizjen e qytetarëve.
IHMK thekson se reshjet e shiut, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, çka mund të shkaktojë vërshime të tjera lokale, probleme në komunikacion, mbingarkesë të sistemeve të kanalizimit dhe vështirësi në trafik.
Ndërkohë, sipas IHMK-së, lumenjtë kryesorë të vendit, sidomos në pjesën qendrore, lindore dhe jugore, përfshirë Ibërin, Sitnicën, Lepenacin dhe Moravën e Binçës, aktualisht paraqesin ngritje të lehta të nivelit të ujit, por situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë qarkullimit në zona të ulëta dhe pranë rrjedhave ujore.








