PROTESTUESIT KËRKUAN PËRGJEGJËSI NGA UDHËHEQËSIT POLITIKË DHE AUTORITETET E SIGURISË, PAS VRASJES SË 12 PERSONAVE MË 1 JANAR NË CETINË

Foto: Danijela Lasica

Mijëra qytetarë protestuan të dielën në Cetinë dhe Podgoricë, duke kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit politikë dhe autoritetet e sigurisë, pas vrasjes së 12 personave më 1 janar në Cetinë.

Demonstruesit ndezën qirinj dhe mbajtën heshtje 12-minutëshe për të vrarët, ndërsa mbanin pankarta dhe hidhnin thirrje të zemëruara, duke akuzuar politikanët në Mal të Zi për tragjedinë e Cetinës dhe duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq dhe zëvendëskryeministrit për Siguri dhe Mbrojtje Alleksa Beçiq.

Në protestë u bë e ditur se ata kërkonin çmilitarizimin e shoqërisë dhe konfiskimin e armëve, si dhe rishikimin e të gjitha lejeve të dhëna në periudhën e kaluar, ngritjen e policisë komunitare, rikthimin e edukimit qytetar si lëndë e detyrueshme në shkollat fillore dhe të mesme, shpalljen e moratoriumit për dhënien e lejeve të reja të armëve deri në ndryshimin e ligjit etj.

Protestuesit kërkuan gjithashtu kushte më të rrepta për posedimin e armëve, kontroll më të madh ndaj klubeve të qitjes që lëshojnë certifikata fiktive për qytetarët për të lehtësuar marrjen e lejeve, si dhe vendosjen e një takse të lartë mujore për mbajtjen dhe ruajtjen e armëve.   

SHARE