EDI RAMA VIZITË ZYRTARE NË TURQI

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me ftesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Rama pas mbërritjes në Ankara, shkruan: “Në vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit Erdogan, për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy qeverive dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh me rëndësi në kuadrin e partneritetit tonë strategjik.” Kryeministri Rama ka falënderuar Turqinë për ndihmën e dhënë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit 2019 që la pa shtëpi mijëra familje. Rama theksoi se Erdogan nuk veproi si shumë shtete gjatë pandemisë që ndaluan qarkullimin e ndihmave për Shqipërinë, por e mbajti fjalën edhe pse ndodhej në një periudhë të vështirë si e gjithë bota. Presidenti turk Erdogan tha se Shqipëria dhe Turqia janë dy vende mike, dhe shqiptarët janë vëllezërit tanë siç u shpreh ai. “Në takimet tona me Ramën përveç çështjeve bilaterale diskutuam dhe çështjet e tjera rajonale, kulturore e shumë të tjera. Shqipëria sapo ka përfunduar presidencën e OSBE me sukses. Shqipëria përjetoi dy tërmete të mëdha, dhe pas çdo tërmeti vrapuam në ndihmë të tyre, me ekipet e shpëtimit dhe mjete të tjera. Vendosëm të ndërtojmë 540 njësi banimi. Shpresojmë që të përfundojë ndërtimi në gusht 2021, besoj që do jetë simbol i fatit të ri mes dy vendeve,” tha Erdogan. Me këtë rast, Presidenti turk Erdogan premtoi se deri më 7 prill do të ndërtojë një spital në Fier. Kujtojmë se Turqia është një ndër partnerët më të ngushtë të Shqipërisë, pas kalimit të dy periudhave më të vështira, atë të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë së COVID-19.

SHARE