Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Qendra për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me qëllim forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit në fushën e pronësisë intelektuale.
Dokumenti synon gjithashtu rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e pronësisë intelektuale dhe për procedurat e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve në këtë fushë.
Memorandumi do të mundësojë realizimin e programeve të përbashkëta edukative, shkëmbimin e informacionit mbi pronësinë intelektuale, informimin e publikut për rëndësinë e saj për zhvillimin e Malit të Zi, si dhe përdorimin më të gjerë të metodave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, duke kontribuar në uljen e kostove gjyqësore dhe lehtësimin e sistemit gjyqësor.
Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, dhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Zgjidhje Alternative të Mosmarrëveshjeve, Maja Golloviq Vojinoviq.
Gjeloshaj theksoi se ky hap është i rëndësishëm për forcimin e rolit të mediacionit në fushën e pronësisë intelektuale dhe rritjen e ndërgjegjësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lidhen me këtë fushë.
Ai shtoi se përmes bashkëpunimit do të ofrohet mbështetje profesionale për praktikuesit e drejtësisë dhe institucionet.
Golloviq Vojinoviq vuri në dukje rëndësinë e promovimit të mediacionit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lidhen me të drejtat e pronësisë intelektuale, duke theksuar se zgjidhja alternative luan rol të rëndësishëm në një sistem gjyqësor më efikas dhe më të drejtë.
Ajo shtoi se qëllimi i përbashkët është që drejtësia të bëhet më e qasshme dhe sistemi juridik më efikas, përmes edukimit dhe promovimit të metodave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në Mal të Zi.










