FORUMI SHQIPTAR PROPOZON LIGJIN PËR SHTESËN VJETORE: 50% E PAGËS DHE PENSIONIT PËR ÇDO QYTETAR NË FUND TË VITIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Forumi Shqiptar do të paraqesë në ditët në vijim në procedurë parlamentare një Projektligj të unifikuar për Shtesën Vjetore, i cili parasheh që në fund të çdo viti çdo punonjës në Mal të Zi të marrë një shtesë në vlerën e 50% të pagës mesatare, ndërsa çdo pensionist të marrë 50% të pensionit mesatar.

Këtë e ka bërë të ditur lideri i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj.

“Shtesa vjetore do të paguhet bashkë me pagën dhe pensionin e dhjetorit, dhe do të jetë plotësisht e liruar nga të gjitha taksat dhe kontributet, si shtetërore ashtu edhe lokale”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjeloshajt, kjo masë garanton që shuma e plotë t’u kalojë qytetarëve, pa asnjë ulje apo barrë administrative.

“Qëllimi i ligjit është i qartë: që punëtorët dhe pensionistët, dy kategori që mbajnë mbi supe zhvillimin e Malit të Zi, të marrin mbështetje të fuqishme dhe të drejtpërdrejtë pikërisht në periudhën kur shpenzimet rriten më së shumti, në fund të vitit”, theksoi ai.

Gjeloshaj nënvizon se ky është një standard evropian dhe një model i politikave sociale që Forumi Shqiptar propozon si praktikë të re në Mal të Zi: ndihmë të drejtë, të përkohshme dhe universale për të gjitha familjet.

Ai bëri të ditur se pret që kryetari i Kuvendit të thërrasë një seancë të posaçme vetëm për këtë ligj, në mënyrë që shtesa të mund të paguhet që këtë vit, bashkë me të ardhurat e dhjetorit.

“Punëtorët dhe pensionistët nuk duhet të presin deri vitin e ardhshëm për mbështetjen që u nevojitet sot”, theksoi Gjeloshaj.

Ai u bëri thirrje të gjitha klubeve parlamentare që ta mbështesin këtë ligj, sepse, siç tha ai, nuk është ligj partiak, por interes shoqëror, që i sjell përfitim çdo punëtori dhe çdo pensionisti në Mal të Zi.

Në përfundim, Gjeloshaj nënvizoi se Forumi Shqiptar mbetet i përkushtuar ndaj nevojave reale të qytetarëve: standardit të jetesës, sigurisë ekonomike dhe shpërndarjes së drejtë.

“Punëtorët dhe pensionistët duhet të jenë në qendër të politikave ekonomike. Ky është mesazhi i këtij ligji”, theksoi ai.

SHARE