CAMAJ: MALI I ZI PO AVANCON DREJT BE-së, FOKUS I RI NË SUNDIMIN E LIGJIT DHE REFORMËN ZGJEDHORE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, është takuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, dhe shefin e Misionit të OSBE-së në Mal të Zi, Jan Haukaas.

Ai i falënderoi ambasadorët që pranuan ftesën në këtë moment tejet të rëndësishëm për Malin e Zi.

Camaj rikujtoi se edhe pas Raportit pozitiv të Komisionit Evropian, Kuvendi ka vazhduar të punojë me ritëm të mirë dhe se shumica parlamentare po bën gjithçka që Mali i Zi të ecë me sukses drejt integrimit në familjen evropiane.

“E kam thënë disa herë dhe po e përsëris: BE-ja i duhet Malit të Zi, por edhe Mali i Zi i duhet BE-së”, tha Camaj.

Ambasadori Sattler falënderoi nënkryetarin Camaj për nismën e takimit, duke vlerësuar qasjen e tij konstruktive dhe kontributin që jep si përfaqësues i një komuniteti pakicë.

“Rezultatet që po dorëzon Kuvendi në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe pritshmërive në procesin e anëtarësimit në BE janë të dukshme”, tha Sattler.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian pret që në periudhën e ardhshme Kuvendi të fokusohet në çështjet themelore të sundimit të ligjit, përfshirë reformën e mëtejshme zgjedhore, miratimin e ligjeve evropiane dhe emërimet në institucionet kyçe të pavarura.

Shefi i misionit të OSBE-së, Jan Haukaas, kujtoi se Mali i Zi është anëtar i barabartë i OSBE-së prej gati dy dekadash dhe se bashkëpunimi ndërmjet OSBE-së dhe Kuvendit ka qenë i suksesshëm gjatë gjithë kësaj kohe.

Ai theksoi se misioni është i gatshëm të shqyrtojë kërkesa të mëtejshme për mbështetje të reformës zgjedhore, në koordinim me institucionet përkatëse eksperte të OSBE-së.

“Nuk ekzistojnë standarde ndërkombëtare të dakorduara për sistemet politike, përfshirë mekanizmat e përfaqësimit politik të pakicave kombëtare. Ekziston një gamë e gjerë modelesh dhe praktikash që mund të shërbejnë si shembull për konsultime të informuara dhe gjithëpërfshirëse, me qëllim që Mali i Zi të gjejë modelin me mbështetjen më të gjerë, që i përshtatet vendit dhe qytetarëve të tij”, tha Haukaas.

Në fund, bashkëbiseduesit, në një takim të hapur dhe miqësor, shkëmbyen mendime edhe për tema të tjera që lidhen me reformat thelbësore për realizimin e objektivave strategjike të Malit të Zi.

SHARE