Deputetët serbë në seancën e Kuvendit, Foto: KALLXO.com
Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë tentuar që të pengojnë deputetët e Listës Serbe që të nënshkruhen, në mënyrë që të marrin pagën e deputetit dhe të mos e humbin mandatin.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar provokim veprimin e deputetëve të Listës Serbe. që shkuan në sallë plenare për t’u nënshkruar, duke thënë se ata vijnë një herë në gjashtë muaj “për të keqpërdorur paratë e taksapaguesve” të Kosovës. Ai më pas ka ndërprerë seancën plenare më 5 dhejtor.
“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. E patolerueshme në Kuvend kjo sjellje një herë në gjashtë muaj të vijnë me keqpërdor para të taksapaguesve. Në anën tjetër e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel [Millan] Radoiçiq. E keni guxim të vini në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj që ta lironi këtë sallë”, tha Konjufca.
Deputetët e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, që nga fundi i vitit 2022 janë tërhequr nga pjesëmarrja në seancat plenare. Atëbotë, nga institucionet e Kosovës në veri u tërhoqën punonjësit serbë, përfshirë policët, gjykatësit e prokurorët, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.
Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb, i takojnë Listës Serbe.
Këta deputetë nuk marrin pjesë në seanca, për shkak të “aksionit strategjik” – siç e kanë cilësuar ata bojkotimin e institucioneve të Kosovës – por paraqiten një herë në gjashtë muaj, për të mos i humbur mandatet.
Deri më tani, deputetët e Listës Serbe janë nënshkruar në Kuvend, pa pengesa.