Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ligji i propozuar për përfaqësuesen e Malit të Zi pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut legalizon mandatin e paligjshëm të përfaqësueses së re Katarina Pekoviq, sipas deputetëve të opozitës, ndërsa propozuesi dhe deputeti e Lëvizjes“ Evropa Tani“, Vasilije Çarapiq, pretendon se pas këtij akti qëndron vetëm interesi publik.
Çarapiq tha në seancën e Kuvendit se që kur Mali i Zi u bë anëtar i Këshillit të Evropës, përfaqësuesi i shtetit pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është zgjedhur në bazë të rregullores, i cili doli të ishte ligjërisht i papërsosur, pasi që rregullorja është miratuar në bazë të një rregulloreje tjetër.
„Praktika e Gjykatës Kushtetuese ka treguar se është antikushtetuese. Një rregullore nuk mund të miratohet në bazë të rregullores dhe ne kemi konsideruar se kjo çështje nuk mund të rregullohet në atë mënyrë”, tha Çarapiq.
Ai rikujtoi se Gjykata Kushtetuese së fundi e shfuqizoi Dekretin për përfaqësuesin në bazë të të cilit u zgjodh Pekoviq dhe konfirmoi se çdo dekret para kësaj ishte po aq jokushtetues.
“Pasi e kemi vërejtur këtë, ne këtë verë e kemi dorëzuar në procedurë parlamentare projektligjin për përfaqësuesin e Malit të Zi, sepse mendojmë se kjo çështje duhet të rregullohet me ligj, në mënyrë që të kemi një situatë të pastër, e jo ndonjë situatë që mund të kontestohet në çdo moment”, tha Çarapiq.
Siç theksoi ai, përfaqësuesi duhet të ketë legjitimitet të padiskutueshëm, sidomos duke pasur parasysh se Mali i Zi është nënshkrues i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, e cila ka më së shumti kërkesa para Gjykatës Evropiane në Strasburg.